Navigacion dhe Menaxhim Detar


[Shkarko Kurrikulën]

Përshkrimi i Programit Bsc. Navigacion dhe Menaxhim Detar

Ndryshimet e herëpashershme në tregun e punës, së bashku me procesin e globalizimit, kërkojnë specialistë të kualifikuar në të gjitha fushat e menaxhimit. Programi i Studimit në Bsc. “Navigacion dhe Menaxhim Detar” mbështetet në një nevojë që dikton zhvillimi ekonomiko-shoqëror i vrullshëm i vendit tonë, duke shtruar vazhdimisht kërkesa të reja për specialistë të profesioneve të ndryshme e sidomos në fushën e detarisë, duke patur parasysh faktin që Shqipëria është një vend bregdetar, me një flotë tregtare, peshkimi dhe turistike, si dhe me një sektor portual të zhvilluar. Ky program është projektuar për të transmetuar tek studentët aftësitë profesionale të nevojshme në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit, si në sektorin privat edhe në atë publik. Njëkohësisht Programi i Studimit në Bsc. “Navigacion dhe Menaxhim Detar” krijon një sërë mundësish për të bërë karrierë në fushën profesionale dhe akademike.

 

Pse duhet të studioni në këtë program?

Qëllimi i Programit të Studimit “Navigacion dhe Menaxhim Detar” është të kualifikojë individët me një formimim të kombinuar të shkencave ekzakte nautike dhe atyre ekonomike duke iu përgjigjur kushteve të ekonomisë së tregut. Ndër të tjera, ky Program mundëson formimin e studentëve në mënyrë të tillë, që t’u përshtatet standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare e Detit (International Maritime Organization – IMO). Programet e trajnimit aktual janë në përputhje me STCW 78/95 (Konventa Ndërkombëtare për Standardet e Kualifikimit, Trajnimit dhe të Shërbimit për Detarët) të kësaj organizate. Kështu, kjo Diplomë e nivelit Bachelor është e njehsueshme dhe e konvertueshme me Akademitë Detare të vendeve të tjera të zhvilluara, pasi studentët që do të përfundojnë studimet në degën “Navigacion dhe Menaxhim Detar” duhet të jenë të pranueshëm edhe në tregun ndërkombëtar të punës.

Gjithashtu, studentët pajisen me njohuri të teorisë ekonomike dhe zhvillojnë aftësitë në analizën sasiore, shkëmbejnë njohje rreth instrumentave të nevojshëm për analizimin dhe zgjidhjen e problemeve në vendin e punës.

 

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Studentët e diplomuar në këtë program kanë si destinacion:

  • Plotësimin e kërkesave të tregut kombëtar e ndërkombëtar për drejtues (kapitenë e oficerë) dhe administrues të anijeve të transportit të mallrave (anijeve tregtare), si dhe të pasagjerëve, brenda dhe jashtë vendit;
  • Plotësimin e kërkesave për menaxherë të Administratës sonë Detare me qëllim ngritjen e nivelit të kësaj administrate, referuar vendeve të tjera të zhvilluara. Kurrikula e hartuar jep mundësinë që në këtë degë të diplomohen edhe femra, të cilat do të jenë menaxheret e ardhshme në Administratën Detare si në Kapiteneritë e Porteve, Autoritetet Portuale të porteve të vendit, agjensitë detare, funksionin e brokeruesëve, carteruesëve, spedicionerëve, në Administratën e Porteve, etj.