Asistencë Dentare


[Shkarko Kurrikulën]

Qëllimi i Programit

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Integrimit Europian, drejt ekonomive dhe tregjeve të zhvilluara, me shërbime të rregulluara sektoriale dhe rritje të mobilitetit të pacientëve, vendas e të huaj, sjell edhe ekspozimin ndaj konkurrencës së shtuar; nevojës për performancë të lartë; rritje të mundësive dhe hapësirave të veprimit dhe rritje të rëndësisë së cilësisë së shërbimit në klinikat dentare të vendit.

Programi i Studimit “Asistencë Dentare”, nxitur nga ky kontekst, si dhe nga njohja dhe vlerësimet kompetente të stafit akademik mbi nevojat e sektorit dentar, përmes studimeve profesionale dyvjeçare, të integruara, teori dhe praktikë, ka si qëllim ofrimin e profesionistëve bashkëkohorë  të asistencës dentare.

 

Përshkrimi i Programit

Qëllimi i këtij Programi Studimi është të pajisë studentët me njohuri dhe zotësi të kënaqshme të teorisë stomatologjike  përmes një kurrikule të mirëstudiuar dhe bashkëkohore, si dhe të zhvillojë aftësi në praktikën profesionale dentare përmes mundësimit, realizimit dhe vlerësimit të praktikave profesionale pranë klinikave dentare private dhe shtetërore të vendit.

Objektivat kryesore formuese të Programit të Studimit “Asistencë Dentare” përmblidhen në:

  1. Të transferojë njohje rreth instrumentave të nevojshëm për analizimin dhe zgjidhjen e problemeve në vendin e punës.
  2. Të zhvillojë kompetencat dhe përqasjet e duhura ndaj rutinës së përditshme në klinikën dentare.
  3. Të ofrojë trajnimet e nevojshme në fushën e komunikimit etik, ndërpersonal dhe institucional.
  4. Të zhvillojë aftësi të rëndësishme, të transferueshme dhe të aplikueshme në klinikat dentare të vendit dhe ato të huaja.

 

Mundësitë për Punësim

Të diplomuarit tanë në zotërim të diplomës, në përputhje me praktikat ndërkombëtare mund t’i ofrojnë dhe aplikojnë aftësitë dhe zotësitë e tyre në sektorin privat dentar, në qendra dhe klinika dentare.

Përafrimi me Bashkimin Europian, si një vend me potenciale ende të pashfrytëzuara, ofron mundësi dhe shanse për vendin tonë, në tërësi dhe sektorin dentar në veçanti. Zbulimin dhe shfrytëzimin e mundësive, mund t’i sigurojnë vetëm klinikat me një shërbim dentar cilësor, të pajisura me profesionistë të aftë. Dijet dhe kompetencat e përftuara të të diplomuarve tanë mund të shfrytëzohen, për momentin, vetëm në sferën private, në klinika private.