Teknologji Informacioni


Përshkrimi i Programit BSc. Teknologji Informacioni

Drejtimi Teknologji Informacioni pranë Departamentit me të njëjtin emër I siguron studentëve një përgatitje dhe edukim në një fushë mjaft premtuese dhe gjithmonë dinamike në zhvillimet e saj. Duke qënë një degë mjaft e kërkuar në tregun e punës, jo vetëm në nivel kombëtar, ky drejtim është i orientuar në përmbajtje te kurrikulave për t’u përshtatur më së miri me kërkesat më të fundit të tregut. Studentët gjatë përgatitjes së tyre njihen me zhvillimet teknologjike të sistmeve kompjuterike, teknologjisë së kompjuterave dhe paisjeve që shërbejnë sot jo thjesht si mjete komunikimi, por si mjete dhe mekanizma që lehtësojnë aktivitete ku në thelb qëndron ruajtja e të dhënave dixhitale, përpunimi I tyre si dhe transmetimi i sigurt i informacionit.

 

Pse duhet të studioni Teknologji Informacioni ?

Nevoja për të ndërtuar sisteme kompjuterike, të cilat realizojnë komunikimin dhe përpunimin e Informacionit, nuk është kurrë e mjaftueshme. Misioni i këtij drejtimi dhe programi është përgatitja e të diplomuarve dhe specialistëve me njohuri të mjaftueshme për tu përshtatur me kërkesën për ndërtimin, projektimin, si dhe përdorimin e sistemeve që përdorin teknologjinë si mjet ndihmës në përpunimin e Informacionit. Gjatë periudhës së studimit teoria dhe praktika mësimore shkrihen në mënyrë organike. Nevoja për profesionistë të fushës së Teknologjisë se Informacionit qëndron gjithmonë në një trend konstant, për të mos thënë në rritje. Kjo e bën këtë drejtim studimi, konkurrues në tregun e punës.

 

Ku mund të punësoheni në përfundim të studimeve ?

Tregu përthithës I studentëvë të diplomuar në fushën e Teknologjisë së informacionit është mjaft i gjerë dhe ofrues shumë i mirë I aplikimit të njohurive të përvetësuara gjatë periudhës së studimit. Kompani të ndryshme që merren me përpunim dhe transmetim Informacioni, institucione bankare e financiare, apo edhe në organizata e institucione si profesioniste të lirë mund të jenë disa prej ambienteve ku studentët e diplomuar mund të gjejnë veten. Manaxhim i projekteve të ndryshme në nivel teknik, ndërtimi i sistemeve me bazë rrjetat kompjuterike, sistemeve të automatizuar inteligjentë bazuar mbi gjuhë të ndryshme programimi janë disa nga njohuritë që studentët përvetësojnë në dobi të ambienteve të punës.