Karriera dhe Alumni


Zyra e Komunikimit, Alumnit dhe Karrierës në UAMD

Zyra e Karrierës ka si funksion të saj parësor ofrimin e mundësive për vende pune, trajnime dhe praktika profesionale për studentët aktualë dhe ata që janë diplomuar pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Kjo arrihet nëpërmjet vendosjes së kontakteve me ndërmarrje dhe organizata të ndryshme private, të cilat veprojnë në tregun e punës. Kjo Zyrë ka mundësuar bashkëpunime efikase me ndërmarrje të ndryshme, veçanërisht në fushën e telefonisë, teknologjisë së informacionit, të statistikës dhe kontabilitetit etj., duke arritur rezultate të kënaqshme në përfshirjen e studentëve në to.

Në kuadër të ofrimit të mundësive për përfshirjen e studentëve në tregun e punës, Zyra e Karrierës zhvillon veprimtari, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe afrimin e studentëve me tregun e punës, përgatitjen e tyre për t’u bërë pjesë e këtij tregu që në fazën e ndjekjes së studimeve, duke i njohur ata me mënyrat e përpilimit të jetëshkrimeve (Curriculum Vitae), të letrave të interesit (Cover Letter), përgatitjen për të zhvilluar intervista sa më të mira pune, si dhe ofrimin e një pakete të plotë këshillimi për karrierën. Këto veprimtari mundësohen në takimet dhe prezantimet me studentë apo në veprimtaritë e zhvilluara nga ndërmarrjet, që ofrojnë këshillimin e karrierës.

Këshillimi, orientimi dhe seminaret e Qendrës ndihmojnë studentët të qartësojnë qëllimet akademike dhe të karrierës, të krijojnë plane të karrierës, të zhvillojnë aftësitë e kërkimit të punës dhe të bëjnë një kalim të suksesshëm nga universiteti drejt tregut të punës. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me departamentet e Universitetit, Qendra asiston studentët në zhvillimin dhe artikulimin e përvojave bashkëkurrikulare që do t’i ndihmojnë ata të jenë konkurrues në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.

Sektori i Komunikimit, Alumnit dhe Karrierës ka këto detyra kryesore:

  • Ofron këshillim dhe udhëzime në lidhje me orientimin dhe zhvillimin e karrierës profesionale të studentëve në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës;
  • Organizon dhe koordinon aktivitetet për studentët të tilla si: trajnime, seminare, konferenca studentore, orë leksioni të hapura nga lektorë të ftuar, promovim të aftësive të studentëve si në letërsi, pikturë etj.
  • Mban kontakte dhe grumbullon informacione mbi punësimin e Alumnit;
  • Harton libërthin UAMD Histori Suksesi, Guidën Studentore, Materialet udhëzuese për maturantët etj.;
  • Orienton dhe informon personat e interesuar për të vazhduar studimet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës mbi ciklet, programet e studimit që ofron ky Universitet dhe degët për çdo Fakultet;
  • Harton dhe raporton në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të dhëna statistikore mbi numrin e studentëve aktualë, studentëve të diplomuar, stafit mësimor efektiv dhe joefektiv, ngarkesës mësimore efektive, studentët që përfitojnë bursë etj.

Disa nga shërbimet për studentët dhe Alumni:

Për studentët:

  • Trajnime mbi perfeksionimin e teknikave të hartimit të jetëshkrimit, letrës së motivimit dhe rregullave të zhvillimit të intervistës
  • Informim mbi mundësi punësimi dhe praktikash profesionale
  • Organizim seminaresh, trajnimesh dhe leksione të hapura për karrierën
  • Organizim punëtorish për zhvillimin personal
  • Organizimin e Panairit të Punës
  • Angazhimin e studentëve si vullnetarë pranë Zyrës së Karrierës

Për alumni:

  • Krijimi i Rrjetit Alumni UAMD dhe mbajtja e kontakteve me t
  • Njoftime për mundësi punësimi
  • Gjurmimin e Alumnit
  • Nxjerrjen në pah e historive të suksesit
  • Alumni Talks, takim i përmuajshëm mes alumni dhe studentëve për të shkëmbyer përvoja.

Publikime të Sektorit të Komunikimit, Alumnit dhe Karrierës:

  • Udhëzuesi i Karrierës
    Guida e Studentit
  • UAMD, histori suksesi
  • Material informues për maturantët që duan të vazhdojnë studimet në UAMD

Aktivitetet

Organizimi i aktiviteteve studentore janë një pikë kyçe e Sektorit të Komunikimit, Alumnit dhe Karrierës. Qendra asiston dhe mbështet çdo kërkesë për organizim aktivitetesh dhe stafi i tij është gjithmonë i pranishëm në aktivitetet e organizuara në UAMD.

Të tjera aktivitete të Qendrës:

  • Ligjërata të hapura nga lektorë ose të ftuar;
  • Konferenca studentore;
  • Javë orientimi;
  • Aktivitete sociale, artistike dhe sportive
  • Aktivitete sensibilizimi (dhurim gjaku, vullnetarizëm etj);
  • Promovime të librave dhe nismave të ndryshme;
  • Aktivitete nga klubet studentore dhe Këshilli Studentor i UAMD etj.