Sistemet e Planifikimit të Burimeve të Ndërmarrjes (Sistemet ERP)


Master Profesional në “Sistemet e Planifikimit të Burimeve të Ndërmarrjes” (Sistemet ERP)

Përshkrimi  i programit

Masteri Profesional në “Sistemet ERP” është një program unik në Shqipëri, i ofruar si kërkesë e tregut të punës dhe në bashkëpunim të ngushtë midis Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe bizneseve të fushës, të cilat kanë investuar në ndërtimin e infrastrukturës optimale për zhvillimin e mësimit dhe praktikave profesionale për studentët që do zgjedhin të studiojnë në këtë program studimi. Ky program është kërkesë e vazhdimësisë së rritjes profesionale të studentëve, me qëllim që të jenë sa më pranë tregut të punës dhe nevojave për profesionistë në fushën e planifikimit dhe menaxhimit të burimeve të ndërmarrjeve për prodhimin, shitjet, burimet njerëzore etj.  Këta profesionistë të rinj duhet të kenë një pamje gjithëpërfshirëse të proceseve të biznesit dhe duhet të jenë në gjendje për të zotëruar së bashku me teknologjitë tradicionale edhe aftësitë praktike në përdorimin e moduleve të programeve komplekse në ERP si SAP. Kjo kërkon një bagazh interdisiplinar të arsimit universitar dhe jo thjesht teknik.

Qëllimi i programit

Ky program studimi ka si mision marrjen e njohurive të thelluara në Sistemet e Planifikimit të Burimeve të Ndërmarrjes për të krijuar specialistë dhe kërkues të përgatitur në këtë fushë. Gjatë semestrit të parë, studentët përftojnë njohuritë teorike në lidhje me funksionimin dhe ndërlidhjen e proceseve të biznesit dhe metodologjitë e përpunimit të të dhënave dhe gjenerimin dhe interpretimin e informacionit të biznesit. Semestri i dytë fokusohet në aftësitë praktike të studentëve në zbatimin e njohurive teorike në modulet e sistemeve ERP të përdorura në tregun e punës si SAP apo dhe sisteme të tjera të ofruara nga kompani si Oracle ose Microsoft.

 

Mundësi punësimi

Studentët që përfundojnë me sukses studimet në masterin professional për “Sistemet ERP” mund të punësohen si konsulentë për sistemet ERP ose si modelues ose implementues të moduleve të këtyre sistemeve për kompani ndërkombëtare që përdorin këto sisteme për menaxhimin e të dhënave dhe proceseve të tyre të biznesit.